100 minuta heroike! Laçi kualifikohet dhe shkruan historinë në Rumani

Laçi zhvillon një tjetër ndeshje të madhe ndaj Universitatea Craiova, e mbylli në barazim pa gola duelin e kthimit të raundit të dytë të Conference League dhe siguroi një kualifikim historik falë fitores 1-0 në “Elbasan Arena”, një javë më parë.

Duel i bukur, i fortë dhe plot raste u zhvillua sonte në Craiova të Rumanisë, aty ku bardhezinjtë e Shpëtim Duros ia dolën ta mbajnë portën të paprekur. Rastet nuk munguan për ekipin tonë, që iu afrua golit në disa raste me Malotën, Mazrekajn dhe Guindo.

Fantastik portieri Alen Sherri në pjesën e parë, teksa vendasit goditën edhe shtyllën në minutat e fundit. Përfundimisht 0-0 pas 100 minutave lojë dhe ekipi kurbinas në raundin e tretë të Conference League.

Kurrë nuk kishte shkuar Laçi kaq larg në kompeticionet evropiane, teksa nuk pësoi asnjë gol në dy takimet ndaj nënkampionëve të Rumanisë (fituan edhe Kupën e Superkupën). Rivali i ardhshëm i Laçit janë belgët e Anderlecht, përballje që do luhen më 5 gusht në Shqipëri (18:00) dhe një javë më vonë në Bruksel (18:00). /abcnews.al

Conference League/ Raundi i dytë, ndeshja e kthimit
Universitatea Craiova – Laçi 0-0 (0-1)

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP