Ndonëse kjo e hënë nisi me vranësira, duket se dielli do të dalë sërish. Kështu parashikoi Hakil Osmani nga MeteoAlb. Sipas tij temperaturat do të arrijnë deri në 37 gradë Celsius.
Ai bëri gjithashtu një parashikim se si pritet të jetë moti gjatë kësaj jave, duke thënë se temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë nga e marta e në vijim, por moti duket të jetë i qëndrueshëm me vranësira të herëpashershme.
“Dita e sotme edhe pse nisi me vranësira, parashikohet që mesdita të sjellë mbizotërim të kthjellimeve, sidomos në zonat jugore të Shqipërisë. Temperaturat në mesditë pritet të shkojnë deri në 37 gradë, në Elbasan, Berat apo edhe në Gjirokastër. Këto temperature do ndihen edhe më të largëta për shkak të lagështisë së ajrit.
Këto temperature do të vijojnë edhe gjatë javës, megjithatë nga e marta do kemi një rënie të lehtë ku temperaturat të martën e të mërkurën do të arrijnë deri në 35 gradë Celsius dhe shpesh do të ketë edhe vranësira.
Te enjten dhe të premten do të kemi temperatura të larta 33-34 gradë Celsius, moti do jetë kryesisht i qëndrueshëm, por do ketë kalime vranësirash në zonën lindore. Fundjava do jetë gjithashtu me temperatura të larta 33 gradë Celsius”,-tha Osmani.