E rëndë! Ishin duke luajtur, tre fëmijë humbasin jetën si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu

Tre fëmijë të mitur kanë humbur jetën në Vietnam, si pasojë e rrëshqitjes së dherave nga moti i keq dhe shirat e rrëmbyeshëm. Ngjarja ka ndodhur në një kodër në Hanoi, ku tre të miturit ishin duke luajtur brenda një banese të braktisur, në momentin kur një masiv dheu ka rrëshqitur duke shembur murin e ndërtesës dhe duke i zënë poshtë.

“Fëmijët po luanin brenda ndërtesës kur ndodhi aksidenti,” tha një banor i komunitetit, ndërsa sqaroi se fëmijët ishin përkatësisht të moshës 3 deri në 5 vjeç. Trupat e tyre të pajetë janë nxjerrë nga ekspertët e shpëtimit, dhe janë dërguar drejt morgut.

Vietnami është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu, duke shkaktuar problematika në shumë banesa dhe përmbytje në disa zona. Ndryshimet klimatike të shkaktuara do të shkaktojnë një rritje të intensitetit të ngjarjeve ekstreme të motit, kanë paralajmëruar shkencëtarët, sipas mediave të huaja.