Si u ndërtua hekurudha Elbasan-Prrenjas, njihuni me misterin e urës së Bushtricës

Në hekurudhën Elbasan -Përrenjas, që kalon në një terren të vështirë malor u ndërtuan 15 tunele me gjatësi të përgjithshme rreth 4 km. Tuneli më i gjatë ishte ai i ndërtuar në Murrash me gjatësi rreth 990 m.

Në vazhdim të hekurudhës për në Guri i Kuq u ndërtua në Qafë Thanë tuneli hekurudhor më i gjatë në vend me gjatësi rreth 3020 m.

Projektimi për përcaktimin e pozicionit të vendosjes së tuneleve në kushtet e vështira të terrenit malor dhe kushteve gjeologjike, u bë mbi hartën e trasimit që mori parasysh këto kushte.

Në zonën e Murrashit para qytetit të Librazhdit, ku ndodhet një zonë e dukshme rrëshqitëse dhe rrjedhje të materialeve nga skarpatet dhe që ka qenë gjithmonë problem për trafikun automobilistik, u trasuan dy tunele dhe një urë mbi lumin Shkumbin, duke devijuar totalisht zonën.

Në këtë zonë u bë dhe rikonstruksioni i rrugës mbas vitit 1992, por nuk u zgjodh eliminimi i rrëshqitjeve dhe rrjedhjeve të ngurta, rrjedhimisht kjo zonë është vështirësuar për trafikun rrugor. Në këtë pjesë hekurudha me dy tunele të lidhura me urë nuk ka pasur asnjë problem.

Në ndërtimin e mjaft tuneleve në hekurudhë u hasën mjaft vështirësi, që u krijuan nga ndeshja në informacione të dobëta gjeologjike që transmetojnë veprim të theksuar të presionit malor. Në disa tunele u hasën rrjedhje uji, e theksuar në tunelin e Qafë -Thanës me 500 litër në sekondë, shkruan meganews.al

Në hapjen e tuneleve u përdorën teknikat bashkëkohore më të avancuara. Gërmim me seksion të plotë, evadimi i materialit të gërmuar dhe transporti komplet të mekanizuar me teknikën më të përparuar të kohës.

Gërmimi është kryer me shpërthime eksplozive. Shpimi u organizua me makineri Promeks të firmës së dëgjuar suedeze Atlas Copco. Promeksi ishte pajisur me 4 pistoleta shpimi që komandoheshin.

Në tunelin që kalon në qytetin e Librazhdit u përdor tjetër teknikë avancimi. Në këtë rast nuk mund të përdoreshin shpërthime meqenëse sipër ishin ndërtimet e qytetit. Gërmimi u realizua me makineri ndërtimi pa shpërthime, teknologji e marrë nga Austria. Materiali i gërmuar binte në një platformë të lëvizshme që e ngarkonte me transportier në mjetet e transportit.

Veshja e tuneleve është realizuar me betone monolite. Kallëpi i betonimit metalik ishte njëcopëshe mbi shina dhe tërhiqej për çdo kampatë. Betoni dërgohej në kallëp me beton pompë.

Në këtë mënyrë teknika e ndërtimit të tuneleve në hekurudhën Elbasan -Prrenjas kaloi në teknikën më moderne që njeh bota në përdorimin e mekanizmave komplekse që u përdorën edhe sot në ndërtimin e tuneleve të rrugës së kombit dhe në tunelet e Kërrabës të rrugës Tiranë -Elbasan.