Shpërthim me bombë pranë Ministrisë së Punës në Athinë! Dy telefonatat paralajmëruese

Një shpërthim me bombë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës (3 shkurt) në qendër të Athinës.

Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale. Shpërthimit i kanë paraprirë dy telefonata nga persona të panjohur të cilët kanë paralajmëruar për vendosjen e mekanizmit, sipas Protothema.

Fillimisht ata thanë se bomba ishte vendosur në Ministrinë e Punës dhe më vonë në telefonatën e radhës thanë se bomba ishte në filialin e Alphabank, e cila ndodhet përballë ministrisë që aktualisht është e mbyllur për rinovim. Sipas policisë greke bomba ka shpërthyer rreth orës 01:29.

“Sot në orën 00:48 Qendra e Veprimit të Menjëhershëm është njoftuar nga gazeta Efimerida ton Syntakton se kanë marrë një telefonatë në lidhje me vendosjen e një lënde shpërthyese në Ministrinë e Punës, e cila do të shpërthente në 40 minuta.

Zona është rrethuar nga forcat e policisë të cilat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke devijuar trafikun. Mekanizmi ka shpërthyer në orën 01:29, duke shkaktuar dëme materiale. Një hetim paraprak po kryhet nga Shërbimi Antiterrorist”, raportoi policia.