Aksident tragjik në Këlcyrë, makina del nga rruga dhe bie në Vjosë! Humbin jetën 8 persona, 7 prej tyre emigrantë

Një aksident tragjik ka ndodhur në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, ku 8 persona kanë humbur jetën pasi mjeti ku udhëtonin ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në anë të lumit Vjosë.

Nga aksidenti kanë humbur jetën shoferi nga Shkodra dhe 7 klandestinë që ndodheshin në makinën, e bërë copash pas përplasjes.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit tip Benz nga drejtuesi.

Në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.

Njoftimi i policisë:

Këlcyrë/Informacion paraprak

Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.

Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.

Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.

Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.