Gazetari Artan Hoxha ka folur për zhdukjen e Ervis Martinajt, duke e konsideruar vrasje dhe duke sqaruar se fillimisht trupi i tij kërkohej në det, ndërsa tani kërkimet janë zhvendosur në tokë. Hoxha ka thënë se disa organizata krimi u bënë bashkë për të eleminuar “mbretin” e lojërave të fatit. Ai ka treguar edhe se për eliminimin e tij u paguan 5 milionë euro.
“Në fakt para një viti e gjysmë, kur ka ndodhur ngjarja kam dhënë një version, në kohën kur nuk e besonte askush, që Martinaj është rrëmbyer dhe është vrarë.
Nuk janë dhënë tre por janë dhënë pesë milionë euro. Ai është kërkuar në det për muaj të tërë, sepse u mendua se mund të jetë hedhur nga Durrësi në Qerret.
Ndërkohë, muajt e fundit po kërkohet në tokë. Ka informacion, ka një foto, ai person duket ku e ka plumbin. Nuk ka patur shumë kohë. Di që policia di edhe emrin se kush e ka bërë. Ai person është larguar nga territori i Shqipërisë, por pagesa ka qenë e disa grupeve.
Në atë kohë u krijua një aleancë, sepse Martinaj nuk ishte njeri i zakonshëm, por bëri revolucion në botën e krimit të organizuar, duke miksuar, biznesin, krimin dhe politikën. E mori bazën kur ishte e djathta në pushtet, dhe u fuqizua më shumë kur ishte e majta edhe pse kundërshtar.
Ai u bë problem për qeverinë, por edhe për Rithemelimin. Nëse do të gjendet kufoma, do të kemi deklarim zyrtar. Shifra pesë milionë euro ka qenë e deklaruar por nuk gjendeshin ekzekutorët. Martinaj kishte komunikuar me Dumanin dhe i kishte thënë nëse ti godet Indrit Doklen, ke 500 mijë euro. Imagjino, 5 milionë ka dhënë SHBA për të kapur Escobarin, që vajti 30 miliardë dollarë”, ka thënë gazetari Hoxha në një media.