“Moti merr kthesën e papritur…”/ Meteorologia Porja zbulon çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim

Fundjava dhe veçanërisht e diela solli probleme me stuhitë e erës, me breshër dhe me rrebeshe shiu, por si do të jetë java që kemi para? Në një lidhje direkte sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se pritet që vranësira dhe reshje të pakëta dhe të izoluara shiu të jenë prezente gjatë ditës së sotme. Ndërkohë, e njëjta tablo nuk paraqitet dhe për mesin e javës pasi pritet që të ketë përmirësim të kushteve të motit.

Lajda Porja: Fundjava dhe sidomos e diela, e cila solli probleme me stuhitë e erës, me breshër e rrebeshe shiu që ishin të pritshme për shkak se gjatë gjithë javës ne kishim temperatura shumë të larta dhe një masë disi më e ftohtë ka zbritur drejt Ballkanit, që ka bërë që reshjet të jenë prezente dhe gjatë ditës së sotme edhe pse intensiteti është shumë i ulët. Sot dhe nesër do të ketë reshje të pakëta dhe të izoluara. Në majat e larta ta maleve, reshje të izoluara dëbore, më së shumti janë sot. Nga dita e nesërme, izolohen vetëm zonat malore, kryesisht me reshje të papërfillshme. Mesi i javës deri në fundjavë do të ketë përmirësim të kushteve të motit dhe do të na rikthehet dielli në pjesën më të madhe të territorit.

Nga e mërkura dhe në vijim, temperaturat do të pësojnë rritje duke shkuar deri në 18 gradë Celsius, ndërsa vendi pritet të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve dhe vranësirave të lehta nga mesjava deri të dielën.

Lajda Porja: Përsa i përket vlerave termike, në fakt ditën e sotme temperaturat e ajrit kanë pësuar rënie, krahasuar me çfarë kemi përjetuar gjatë gjithë javës. Temperaturat nga sot dhe nesër, minimalet janë nga 0 në minus 1 më e ulëta. Përsa i përket të gjithë Ultësirës Perëndimore, bregdeti apo zonat e ulëta luhaten nga 5 deri në 8 minimalet dhe maksimalet 16-17 gradë. Nga e mërkura dhe në vijim, do të kemi rritje të lehtë dhe graduale, java do t’i ketë temperaturat konstante, në kuptimin që ka një rritje apo rënie shumë të lehtë. Ne do të presim temperatura deri në 18 gradë. Parashikohet që e gjithë java duke filluar nga e mërkura dhe deri në fundjavë të ketë mot të kthjellët, vranësira të lehta dhe reshje shumë të pakëta vetëm sot dhe nesër. Ka një përmirësim të dukshëm të parametrit të erës, do të ketë një erë kryesisht mesatare krahasuar me çfarë përjetuam gjatë fundjavës.