Zbardhen të tjera detaje në lidhje me arrestimin e kreut të ARRSH-së, Evis Berberi. Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se gjatë kontrolleve të ushtruara nga hetuesit e SPAK dhe të BKH-së, në banesën e Berberit u gjetën disa piktura me vlerë mijëra euro, por dhe një shumë e madhe parash. Zyrtari i lartë akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Këto piktura janë konsideruar si ryshfet nga SPAK.
Gjatë kontrolleve në banesën e tij, Beberi ka pohuar se pikturat i kishte bërë vetë ai dhe se nuk ishin blerë. Agjentët e SPAK dhe BKH i sekuestruan dhe një sërë sendesh personale si celularë, laptop, USB, dhe dokumente. Mbrëmë u dha një informacion se zoti Berberi mund të kishte dhënë dorëheqje, por Policia e Shtetit ka bërë me dije se ai ka qenë në krye të detyrës. Gazetarja Lala tha se arrestimi është bërë pasi la ambientet e punës, të ARRSH-së, por nuk dihet nëse është ndaluar në banesën e tij apo në ndonjë ambient tjetër. Ndërkohë, përveç shtëpisë, kontrolle ka pasur dhe në zyrën e tij. Kujtojmë që Evis Berberi është një ndër drejtuesit e afërt të ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku.
Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021, ku zëvendësoi në këtë detyrë, Ergys Vjerdhon, edhe ky i fundit nën hetim nga SPAK për dyshime se është përfshirë në afera korruptive.