A duhet të shqetësohemi për pluhurin që ka ‘pushtuar’ Tiranën? Ja çfarë thotë ekspertja e IGJEUM-it

Ekspertja e IGJEUM, Anira Gjoni, është shprehur se masat ajrore të ngrohta me pluhur në ajër që kanë ‘pushtuar’ Shqipërinë, e kanë origjinën nga Afrika e veriut dhe kanë prekur gjithë Ballkanin dhe një pjesë të Mesdheut.

Gjoni tha se prania e pluhurit në ajër do të jetë e pranishme edhe ditën e nesërme dhe vetëm të premten do të nis pastrimi i ajrit.

Ajo shtoi se temperaturat do të vijojnë të mbeten të larta në fundjavë dhe në javën e ardhshme

“Një qendër e presionit të ulët e provokuar nga shtjellat ciklopike atlantike, ka sjellë praninë e rrymave të ngrohta nga kontinenti afrikan. Nuk është një fenomen që ka prekur vetëm Shqipërinë, por edhe Ballkanin dhe gjithë brigjet e Mesdheut, përveç gadishullit Iberik.

Madje këto masa ajrore kanë shkuar deri në Holandë dhe Rumani. Prania e pluhurit do të jetë edhe për ditën e nesërme dhe gradualisht nga e premtja dhe mbrapa do të fillojë të pastrohet ajri

Pasi fillon edhe veprimi i masave të tjera, që nuk do të kenë praninë e pluhurit. Ndërsa temperaturat do të vijojnë të jenë të ngrohta edhe në fundjavë dhe javën e parë të prillit”, tha Gjoni.