Vrasja tronditëse e Ilari Sula, studentja shqiptare që u vra nga ish-i dashuri i saj Mark Antony Samson, vijon të mbetet në qendër të vëmendjes së mediave italiane, teksa çdo ditë dalin në dritë detaje të reja rreth ngjarjes.
Pas kryerjes së aktit makabër, 23-vjeçari me origjinë nga Filipinet, duket se kërkonte të vazhdonte jetën sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Ai nisi të njihte vajza të tjera, duke lënë pas krimin që sapo kishte kryer.
Një prej vajzave me të cilat Samson kishte nisur kontakt, ka rrëfyer në emisionin “Rai 3” se ai i kishte dërguar mesazhe si para ashtu edhe pas vrasjes së Ilarias. Sipas saj, Samson i kishte treguar se po kalonte një periudhë të vështirë pas ndarjes me Ilariën dhe se dëshironte të njihte njerëz të rinj.
“Ai më pyeti nëse jetoja me dikë në shtëpi dhe, më 25 mars, vetëm një ditë para vrasjes së Ilarias, këmbëngulte që të më takonte. Një mbrëmje, më kërkoi të vinte në shtëpinë time dhe të sillte alkool. Por unë e refuzova, duke i thënë se i dashuri im ishte në shtëpi, vetëm për ta penguar që të vinte,” ka treguar e reja.
Edhe pas datës 27 mars, kur Ilaria ishte shpallur e zhdukur dhe familjarët po e kërkonin me ankth, Marku vazhdoi t’i dërgonte mesazhe vajzës tjetër. Në të njëjtën kohë, ai përdorte telefonin e Ilarias për t’u dërguar mesazhe të afërmve dhe miqve të saj, duke u përpjekur të fshehë krimin e kryer.
E reja ka rrëfyer gjithashtu se më vonë ka marrë një mesazh nga një mikeshë, e cila i ka zbuluar se Marku ishte ish-i dashuri i Ilarias. “Gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte: ‘Kjo mund të më kishte ndodhur mua,’” ka përfunduar ajo, duke kujtuar momentin kur e kuptoi të vërtetën tronditëse.