SPAK del me njoftim zyrtar dhe zbulon arsyet që çuan në prangosjen e Vangjush Dakos

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka reaguar dje në lidhje me prangosjen e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa ka paralajmëruar nisjen e hetimit ndaj personave që tentuan të dekonspironin arrestimin e ish-kryeqytetarit të qytetit bregdetar. Në njoftimin për mediat, SPAK bën me dije se Dako në bashkëpunim me ish-zyrtarët e tjerë “kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar”. Sakaq, bëhet me dije se ish-kryebashkiaku së bashku me drejtorin e firmës së ndërtimit,

Advertisements

arkitekten dhe topografët kanë shpërdoruar detyrën, ku citohet se këta të fundit “nuk kanë pasqyruar në dokumentacionin tekniko-ligjor, të objektit të vërtetën në lidhje me kohën kur janë bërë punimet dhe është realizuar ndërtimi, duke bërë që këto akte të jenë të falsifikuara në përmbajtje”. “Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 197 të vitit 2020, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të vulave, stampave ose i formularëve”, kjo e fundit e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar nga personat që kanë për detyrë hartimin e tyre, të kryera në bashkëpunim parashikuar nga nenet 248 dhe 25 dhe 190/3 dhe 25 të Kodit Penal. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme,

Advertisements

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 57 datë 06 Qershor 2023 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V.D., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal 2 (dy) herë. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”,

parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim A.Q., si person i dyshuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal 2 (dy) here dhe “Fallsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, e kryer në formën e fallsifikimit të formularëve të miratuar nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190/3 dhe 25 i K.Penal”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Dekonspirimi i aksionit për arrestimin e Dakos

Ndërkohë SPAK ka nisur dje hetimet ndaj personave që dyshohet se kanë nxjerrë sekretin hetimor në lidhje me arrestimin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako. Hetimet kanë nisur për funksionarët e drejtësisë, personelin administrativ të organeve procedurale, si dhe çdo person tjetër që ka marrë dijeni për veprimet procedurale për shkak të funksionit të tij, të cilët mundet të kenë zbuluar të dhënat sekrete ndaj personave të tretë. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,

mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet për kryerjen e veprës penale ”Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal. Fillimi i hetimeve kryesisht për këtë vepër penale është bërë për shkak të zbulimit ndaj të tretëve të të dhënave dhe të përmbajtjes së akteve procedurale, të cilat përbëjnë ”sekret hetimor”, që lidhen me veprimet procedurale të paraqitjes dhe të shqyrtimit të kërkesës me objekt caktimin e masave të sigurimit në ngarkim të shtetasve V.D etj, të kryera në kuadër të procedimit penal nr.197 viti 2020 të Prokurorisë së Posaçme.

Objekt i hetimeve do të jenë veprimet e të gjithë personave të përfshirë në kryerjen e veprimeve procedurale për caktimin e masave të sigurimit për procedimin penal nr.197 viti 2020, duke përfshirë funksionarët e drejtësisë, personelin administrativ të organeve procedurale, si dhe çdo person tjetër që ka marrë dijeni për veprimet procedurale për shkak të funksionit të tij, të cilët mundet të kenë zbuluar të dhënat sekrete ndaj personave të tretë”, njoftoi dje SPAK.