Mjeku i njohur rrëfen ndjesitë e momenteve të vështira të punës: Kam qarë kur kemi shpëtuar fëmijën që pësoi 3 herë arrest kardiak rrugës për në spital

Në sallën e operacionit nuk ka vend për të humbur toruan. Bluzat e bardha ndodhen nën presionin e kohës, sekondave që bëjnë diferencën, marrjes së vendimeve të menjëhershme që do të përcaktojnë kursin e situatës. Emocionet duhet t’i lënë vendin mendjes dhe gjykimit të ftohtë, të pa ndikuar për të bërë më të mirën dhe për të shpëtuar një tjetër jetë.

Advertisements

Klevis Thomai, mjek kirurg ORL përshkruan në “Shije Shtëpie” në Tv Klan si është të përballesh me të gjitha këto në momentin që pacienti vjen në duart e tij. Çfarë ndodh konkretisht me mendjen e një mjeku, me ndjesitë e tij, gjendjen emocionale dhe duke iu përgjigjur pyetjes “a qajnë mjekët?”

Advertisements

Klevis Thomai: Qan ndoshta jo, por më keq se qarë. Fatmirësisht, unë kam pasur shumë raste, qindra ose mijëra raste urgjencash edhe me fëmijë, edhe me të rritur që kanë qenë raste edhe në prag të vdekjes. Iu them gjithmonë familjarëve kur vijnë që deri tani s’kam pasur problem, deri tani nuk kam pasur problem dhe them gjithmonë falë Zotit a një fat i madh, nuk e di, që deri tani s’kam pasur probleme. Por kam pasur situata ekstremisht të vështira.

Kur thonë që mjekësia shqiptare nuk funksionon, jo, mua më kanë sjellë fëmijë nga Këlcyra që është goxha larg, ma kanë sjellë mjeku pediatër, nuk e di se si ka mbajtur gjallë. Ma ka sjellë me tre herë fëmija arrest kardiak, domethënë që është ndaluar zemra tre herë gjatë rrugës, me makinë, se ishte natë, helikopteri nuk lëviz natën. Një nga rastet. Ma kanë sjellë, e kemi futur në sallë, në një situatë gjysmë paniku, paniku të kontrolluar le të themi kështu sepse duke e kapur me vrap, fëmija ishte… niveli i oksigjenimit ishte 30% nga 100% që duhej të jetë.

Pasi kam arritur ta shpëtoj, atëherë më ka ardhur për të qarë. Është një ndjenjë e përzier midis stresit, shpëtimit, eksperiencës afër vdekjes, por jo te e jotja por te tjetri. Empatizon tjetrin dhe ndërkohë edhe gëzimi, ti mund të qash se je mërzitur, por mund të qash se je gëzuar, mund të qash se bëre diçka të mirë dhe ndodhi diçka e keqe, pra njerëzit kanë ndjenja dhe mjekët qajnë.