“Trupin e kam fshehur mes mureve”, italiani i arrestuar në Spanjë për vrasjen e të dashurës rrëfen edhe vrasjen e shqiptares Sibora Gagani

Një person i arrestuar së fundmi për vrasjen e ish-partneres së tij në Torremolinos, Malaga të Spanjës, më 17 Maj, raportohet të ketë dhënë një rrëfim spontan për policinë atje. Një rrëfim që do zgjidhte një mister 9 vjeçar.

Advertisements

Italiani Marco Gaio Romeo, 45 vjeç, sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle e italiane raportohet të ketë pranuar autorësinë për vrasjen e Sibora Gaganit, italo-shqiptares me të cilën kishte një lidhje sentimentale në 2014-n, e që rezulton e zhdukur që prej asaj kohe. Misteri për fatin e së resë u raportua gjerësisht në atë kohë.

Advertisements

Sipas asaj që raporton media spanjolle SUR, rrëfimi ndodhi teksa 45-vjeçari po shoqërohej në korridoret e stacionit të policisë, dhe rrugës pa një fletushkë të ngjitur në mur për zhdukjen e Siborës.

Rrëfimi vjen në një kohë kur Marco ka refuzuar të japë çdolloj dëshmie para autoriteteve hetimore spanjolle, që po hetojnë vrasjen me thikë të Paula-s, 28-vjeçares me të cilën ai kishte pasur histori dashuri deri në Mars të këtij viti.

Burime thonë për SUR se autori i dyshuar u tha oficerëve të policisë se trupi i Siborës ishte fshehur mes mureve të apartamentit në të cilin ata jetonin së bashku në Torremolinos, në 2014-n. Madje i dyshuari u ofrua që t’i çonte hetuesit tek vendi ekzakt ku e kishte fshehur trupin e saj.

Rrëfimi i tij është tashmë kyç në hetimet për zhdukjen e Siborës, ndonëse Marco nuk ka dhënë një dëshmi zyrtare para policisë, në prani të avokatit apo të gjykatësit. Deri më tani, versioni i vetëm që hetuesit kanë është dëshmia e tij e papritur dhe informale, në korridoret e godinës së policisë.

Megjithatë, nisur nga ky rrëfim, gjyqtari që ka në dorë dosjen ka rihapur çështjen dhe urdhëroi një kontroll në shtëpinë ku Marco dhe Sibora jetuan nga 2011 deri në 2014-n. Pasditen e së hënës, rreth 20 oficerë policie shkuan në këtë pronë, një apartament i ndarë në dy kate në qendër të Torremolinos dhe inspektuar çdo pjesë të murit, në kërkim të trupit të saj, apo çdo indicie që mund të çonte në gjetjen e saj.

Hetuesit përdorën detektorë dhe çanë murin në zona të ndryshme të apartamentit, për të parë nëse brenda kishte mbetje njerëzore. Ata po ashtu inspektuan tualetin dhe dhomat e tjera. Por nuk arritën të gjenin asgjë. Mëngjesin e së martës, specialistët e kriminalistikës u rikthyen në këtë shtëpi dhe kërkuan në dhoma të tjera, por pa mundur të gjenin një trup.

Sibora ishte 22-vjeçe kur u zhduk nga Torremolinos. Gjatë thuajse 9 vitesh, të gjitha përpjekjet për ta gjetur kanë qenë të kota, deri javën e shkuar, kur policia zbuloi se Marco, i arrestuar për vrasjen Paula-s, kishte qenë gjithashtu partneri i Siborës. Ai ishte personi i fundit me të cilin Sibora kishte pasur kontakt përpara se të zhdukej. Më 7 Korrik të 2014-s, ata kishin pasur një bisedë në WhatsApp dhe për të renë nuk u dëgjua më asgjë.

Pak përpara se të zhdukej, Sibora, e cila kishte shkuar nga Roma në Spanjë, u nda nga ish-partneri dhe u zhvendos në një apartament në Calle Hoyo, në Torremolinos. Që prej fillimit zhdukja e saj u konsiderua nga policia “me rrezik të lartë”. Kjo për shkak se 22-vjeçarja ishte larguar pa marrë telefonin e saj celular, pa marrë rrobat apo sende të tjera personale.

Media spanjolle SUR shkruan se vrasësi i dyshuar ka një histori për dhunë ndaj grave, megjithatë, nuk rezulton që Sibora apo Paula të kenë bërë ndonjëherë më parë denoncim për të. Hetimet për rastin vijojnë.

Ndërkohë mediat italiane raportojnë se rasti i saj është trajtuar edhe në programin e njerëzve të humbur, “Chi l’ha visto?”, ku tashmë me zhvillimet e reja është trajtuar sërish. Në një reagim për këtë program, nëna e saj, Elisabeta, u shpreh e revoltuar që nuk ishte dëgjuar asnjëherë nga autoritetet kur kishte denoncuar pikërisht të dashurin e të bijës për dhunë./tvklan.al