Tensionet në Kosovë, Berisha del me akuzat e rënda ndaj Vuçiç

Këtë pasdite ka pasur sërish tensione në veri të Kosovës, ku ndërhynë trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të shpërndarë protestuesit serbë para ndërtesës së komunës së Zveçanit.

Advertisements

Lidhur me këto tensione ka reaguar ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Berisha ngriti akuzat se Vuçiç ka dërguar bandat e tij në veri të Kosovës, në mënyrë që ta destabilizojë atë.

Advertisements

Reagimi i plotë:

Serbomadhi Vuçiç në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës.

Të dashur miq, Presidenti i serbomadhisë ka angazhuar fallangat e tij kriminale të dërguara nga Beogradi dhe bandat serbe lokale, në veprime të dhunshme kundër ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe policisë së Kosovës që po mbajnë rendin dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë në këto komuna, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar nga kriminelë me maska, me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë të tjera djegëse, shishe molotov, janë dëgjuar dhe të shtëna me armë.

Gazetarët e Radios “Evropa e Lirë” kanë njoftuar se janë parë disa ushtarë të plagosur të KFOR-it dhe një veturë e këtyre njësive duke u djegur nga mjetet shpërthyese që janë hedhur. Ndërkaq, gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë skenar të bashkrenduar të Beogradit me Kremlinin, sulmet kriminale të fallangave të gangsterëve serb kundër KFOR-it, ushtarëve të tij, gazetarëve dhe policisë së Kosovës.