Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) shfaqi kritika tepër të ashpra ndaj qeverisë, KQZ dhe institucioneve shtetërore për procesin e zgjedhjeve lokale të 14 majit. Dritan Taula, përfaqësuesi i kësaj organizate vuri theksin te fakti që partitë politike shqiptare nuk zbatuan rekomandimet e OSBE-ODIHR për të përmirësuar Kodin Zgjedhor dhe kuadrin ligjor për zgjedhjet. Ai theksoi se shteti dështoi të garantonte votim të lirë për qytetarët e vet.
“Shteti shqiptar dhe politika nuk arritën të siguronin një proces zgjedhor të ndërtuar për qytetarët, po dështuan që këta të fundit të votonin të lirë. Vumë re se politika shqiptare dështoi për të reformuar kuadrin ligjor dhe duke mos marrë asnjë rekomandim të OSBE. Procesi reformues nuk ishte transparent dhe u zvarrit, edhe pse kodi ligjor e garanton këtë të fundit”, deklaroi fillimisht Taula.
Advertisements
Po në emër të KRIIK, Dritan Taula kritikoi qeverinë se nuk dha përgjigje për ngatërresat në listat e votuesve, ndërsa partitë politike shkelën frymë ligjore për posterat e tyre elektorale. “Mbulimi mediatik dhe materialet propagandistike nuk ishte në linjën me frymën e asaj që garanton ligji. Nuk pati asnjë hap konkret për një sqarim shterues apo fushatë ndërgjegjësues për qytetarët në lidhje me emrat e qytetarëve në listën e zgjedhjeve”, vazhdoi më tej Taula.
Në fund, KRIIK e mbylli raportin e vet për zgjedhjet dhe fushatën e saj me dominimin në fushatë të liderëve politikë, jo kandidatëve, me gjuhën fyese e denigruese, sidomos për kryeministrin Edi Rama që kërcënoi në një ndalesë fushate se bashkitë opozitare që nuk bashkëpunojnë me qeverinë e tij, nuk do të përfitojnë fonde nga shteti. “Fushata ishte, e polarizuar e dominuar nga drejtuesit politikë në nivel qendror, dhe në mungesë të theksuar të figurës së kandidateve.
Advertisements
U përdor gjuha denigruese, sulmet dhe fyerjet ishin dominuese duke e kthyer në diskurs personal mes figurave politike, kundërshtarët politikë janë konsideruar si armiq që duhen larguar nga gara politike sesa si kundërshtarë në garë elektorale. Veçojmë si problematike deklaratën e kryeministrin Rama lidhur me bashkitë nuk do marrin fonde aty ku fiton opozita”, përfundoi fjalën e tij, Dritan Taula, përfaqësues i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara.