Fatjon Murati, pronari i lokalit në Don Bosko ku dhe u krye atentati mbrëmjen e sotme rezulton të ketë thyer masën “arrest shtëpie” të dhënë nga Gjykata më herët.

Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë kontrollit Fatjon Murati nuk është gjetur në banesë duke thyer masën e sigurisë.

Advertisements

Sipas të njëjtave burime mësohet se disa ditë më parë Murati është larguar nga Shqipëria duke ikur tranzit nga Prishtina në drejtim të një vendi tjetër.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në zonën e Don Boskos pranë ambienteve të lokalit të Fatjon Muratit, ku disa persona të paidentifikuar qëlluan me breshkëri plumbash.

Advertisements

Nga ky atentat ka mbetur e vdekur banakierja e lokalit, Mimoza Paja 60 vjeç si dhe janë plagosur shtetasit Shehat Murati 50 vjeç, i cili është edhe xhaxhai i Fatjon Muratit, Astrit Merja 42 vjeç, Emanuel Sala 47 vjeç, Ermir Bejuku 45 vjeç, Genc Shohalli 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare. Mësohet se xhaxhai i Fatjon Muratit, Shehat Murati ndodhet në sallën e operacionit pasi ka marrë 2 plumba në shpatull.

Fatmirësisht të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën mjekësore pranë spitalit të Traumës.

Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Fatjon Murati është mik i Endrit Dokles, i njohur si anëtar i Bandës së Durrësit dhe pas lirimit nga burgu i përfolur si shënjestër e një atentati për të cilin Ervis Martinaj kishte paguar 500 mijë euro te vrasësi me pagëse i penduar Nuredin Dumani.

Emri i Fatjon Muratit doli në skenë pas atentatit të rëndë me tre të vrarë në mbikalimin e Fushë Krujës, ku një nga viktimat ishte Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Marinajt.Megjithatë, autorët e atij aksidenti edhe sot nuk dihet se kush janë.

Murati u ndalua një vit më parë me dyshimet se kishte lidhje me një bazë municionesh të zbuluar në Tiranë, pasi gjurmët e gishtave të tij u zbuluan në një prej kutive me armë.

Po në atë periudhë, ai u ndaluat teksa po udhëtonte me një makinë të blinduar me Indrit Doklen, ndërsa Policia u gjeti edhe një pistoletë.

Vitin e kaluar Gjykata vendosi sekuestro ndaj dhjetëra pronave të Muratit me një vlerë rreth 5 milionë euro, të dyshuara se ishin vendosur nga trafiku i drogës. Mes pronave të sekuestruara ishte edhe një ambient bar-kafe.