“Kishte një letër…”/ Gazetari i njohur zbardh detaje të reja nga vrasja e biznesmenit shqiptar për 30 mijë euro

Biznesmeni Bedri Rexhepi në datën 8 prill të viti 2021 është raportuar si person i zhdukur në Policinë e Kosovës.

Advertisements

Familja e Rexhepit nuk kishte asnjë informacion rreth vendndodhjes së tij. Ai ka dalë nga shtëpia më 8 prill dhe nuk është kthyer më. Një ditë pas zhdukjes makina e tij është gjetur e braktisur në një arë në fshatin Janjevë të Lipjanit.

Advertisements

Në bazë të informacioneve nga familja, kur Rexhepi është larguar ka pasur një shumë parash rreth 30 mijë eurosh me vete. Sipas familjarëve ai nuk kishte asnjë problem me askënd dhe as borxhe ndaj askujt.

Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij. Më vonë është arrestuar edhe vëllai e tij, Nexhat Vllasaliu.

Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

Ndërkohë në datën 30 shtator të vitit 2022 një vit e gjysmë më pas Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka gjetur disa mbetje trupore të dekompozuara në Novobërdë të cilat dyshohej se kishin të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” të biznesmenit Bedri Rexhepi, ky pretendim u vërtetua dhe u konfirmua që i përkasin pikërisht biznesmenit të zhdukur me 8 prill 2021.

Ndërkohë ditën e djeshme (18 tetor 2022) prokurori Armend Hamiti ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi. Aktakuza është ngritur për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëpunim. Prokurori tha se motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro.

Kjo vrasje e rëndë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” ishte gazetari, Besian Beha.

Pjesë nga intervista:

Erjona Rusi: Cila ishte marrëdhënia mes të ndjerit dhe dy autorëve të dyshuar?

Besian Beha: Realisht siç dëshmohet nën akuzë, Rexhepi ka pasur një raport të shkëlqyer me Jetonin, ndërsa me vëllain e Jetonit nuk dihet nëse i ka pasur kaq të afërta.

Raportet kanë qenë tepër të mira. Edhe i dyshuari ka thënë se Rexhepi e ka ndihmuar në forma të ndryshme, jo vetëm me makina por edhe në shumë parash.

Erjona Rusi: Plani ishte organizuar që 9 janar 2021 dhe zhdukja është bërë në prill?

Besian Beha: E kemi publikuar pjesën e parë të akuzës dhe prokurori pretendon se plani ka nisur që në 9 janar. I dyshuari ka dashur t’i ofrojë dy makina për 30 mijë euro.

E më 8 prill plani i tyre është realizuar në praktikë. Dy të dyshuarit, sidomos Jetoni, duke dyshuar se Rexhepi i ka 30 mijë euro, devijon rrugën dhe e çon te shtëpia e vëllait të tij. Nuk janë përdorur armë por e kanë mbytur.

Te pjesa e varrimit dhe e fshehjes ka marrë pjesë edhe vëllai i Jetonit. Dy të dyshuarit kanë besuar se Rexhepi i ka ato 30 mijë euro, ku do të shkonin bashkë për të marrë makinat.

I ndjeri ka pasur vetëm 8 mijë euro, plani ka shkuar gabim. Të dyshuarit pretendojnë se i kanë ndarë mes vetes ato para.

Erjona Rusi: Në akuzë thuhet “plani ishte organizuar që më 9 janar, duke shfrytëzuar afrimitetin e vunë atë në lajthitje”. Çfarë do të thotë?

Besian Beha: Autoveturat që pritej ti blinte ai, janë përdorur si pretekst për të qenë sa më afër me të. Prokuroria e përdor ‘vënë në lajthitje’ e kanë mashtruar.

Erjona Rusi: Janë marrë në pyetje familjarët?

Besian Beha: Prokuroria i ka 29 dëshmitarë, pjesa më e madhe janë familjarë të të ndjerit dhe të të dyshuarve.

Bashkëshortja e Nexhat Vllasaliut, e cila për një kohë ka qenë e arrestuar, ka thënë se në ditën që është bërë varrimi, ajo ka qenë me bashkëshortin e saj.

Nga ana tjetër kemi familjarët e Rexhepit, gruaja konfirmon se ka gjetur një letër ku Rexhepi kishte një marrëveshje për shitjen e makinave. Ai ua kishte konfirmuar se do i merrte makinat.