Janë zbardhur dëshmitë e dhëna para hetuesve të tre efektivëve të cilët e shoqëruan në komisariat mbrëmjen e së mërkurës 32-vjeçarin Lear Kurti.

Sipas News24, mësohet se efektivët para hetuesve kanë deklaruar se në asnjë moment nuk e kanë parë Lear Kurtin të gëlltiste lëndë narkotike.

Advertisements

Në dëshminë e tyre bëhet me dije se 32-vjeçari u largua nga policët me vrap dhe pasi u kap nga efektivët filloi të ndjehej keq dhe për tu qetësuar oficerët e policisë e futën në automjet. Në komisariat ai u dërgua nga patrulla tjetër dhe jo nga ajo që e ndaloi, ndërkohë në momentin që shkuan në ambientet e komisariatit nr.3 Leart Kurti është mbajtur me forcë te sedilja e makinës pasi nuk donte që të dilte.

Sapo u futën në ambientet e komisariatit Kurti filloi të bënte veprime të pakontrolluara dhe menjëherë efektivët e dërguan në spital.

Advertisements

Dëshmitë:

“Rreth orës 23:07 bashkë me dy kolegët ishim në patrullim me makinë në rrugën “Riza Çuka” dhe në një moment konstatuam një të ri, i cili po ecte dhe kreu disa veprime të dyshimta. Në bazë të kësaj i kërkova verifikim. I kërkova mjet identifikimi, por ai nuk kishte. Më pas e pyeta nëse kishte sende të kundërligjshme me vete dhe më pas sa dola nga automjeti, i riu u largua me vrap. Pasi e ndoqa pas 2 minutash arrita ta ndaloj përballë një marketi. Pasi e ndalova, si unë ashtu edhe i riu u rrëzuam përtokë dhe në këtë moment u afruan edhe dy kolegët e mi.

E ngritëm në këmbë të riun dhe kërkuam ndihmën e patrullave. E ulëm në trotuar dhe pamë që i riu kishte vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë kontaktova me drejtorinë vendore dhe kërkova një autoambulancë dhe që i riu të ndjehej më mirë e futëm në makinë, jo në makinën që kisha në shërbim, por në makinën tjetër. Filloi të ndihej më mirë dhe i thamë të qetësohej, ndërkohë që aty erdhën patrullat me kod 20 dhe 22. Në këtë moment kolegu tjetër i vendosi prangat dhe më pas u kthyem për të kontrolluar rrugën nëse kishte hedhur apo jo sende të kundërligjshme, por nuk gjetëm, kurse patrulla tjetër e dërgoi të riun në komisariat.”, thuhet në një nga dëshmitë.

Më pas vijon dëshmia e efektivit tjetër që thotë: “I riu fërkonte gjoksin dhe ulte kokën poshtë. Kur arritëm në komisariat i riu u kap te sedilja e makinës dhe nuk donte që të dilte, më pas e nxorëm nga makina me vështirësi dhe sapo doli prej aty filloi të dridhej, të shtrëngonte dhëmbët dhe bënte lëvizje të pakontrolluara. Menjëherë tentuam t’i jepnim ndihmë duke u munduar t’i hapnim gojën dhe i mbajtëm kokën mbrapa që të mos godiste pllakat, pasi po bënte lëvizje të pakontrolluara, i vendosëm një shkop hekuri në dorë pasi menduam për shenja epilepsie. Kolegët e mi njoftuan autoambulancën dhe duke parë gjendjen e tij, e futëm në automjet policie dhe e dërguam në spitalin e traumës pasi ambulanca po vonohej”.