Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, do të udhëtojë sot në Moskë, për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai është udhëheqësi i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që takohet personalisht me Putinin, qëkur ky i fundit ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Zyrtarët austriakë thanë se Nehammer dëshiron të promovojë dialogun midis Moskës dhe Kievit dhe se do të ngrejë gjithashtu çështjen e krimeve të luftës.

Advertisements

Nehammer u takua edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shtunën.

“Ai shkon atje [në Moskë], pasi ka informuar Berlinin, Brukselin dhe presidentin ukrainas, për të inkurajuar dialogun”, tha një zëdhënës i Nehammerit.

Advertisements

Takimi vjen në kohën kur lufta në Ukrainë është zhvendosur në lindje të këtij vendi. Zyrtarët rusë kanë thënë se fokus i forcave të tyre do të jetë “çlirimi i plotë” i Donbasit, duke iu referuar kështu rajoneve lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck.

Këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Mykhaylo Podolyak, i tha televizionit kombëtar se “Ukraina është gati për beteja të mëdha” kundër Rusisë.